Rasti i një zjarri shkatërrues në një depo letre higjienike në Kaliforni po merr përmasa serioze, pasi një video e postuar në rrjetet sociale dhe që i atribuohet të dyshuarit kryesor tregon momentin kur zjarri fillon brenda magazinës.
Pamjet tregojnë një person që mban një çakmak në dorë dhe u vë flakën paletave me letër higjienike, ndërsa dëgjohet duke thënë: “Duhet të na kishit paguar më mirë”.
Në një moment tjetër të videos, ai thotë: “E tëra çfarë duhet të bënit ishte të na kishit paguar mjaftueshëm për të jetuar" dhe "stoku juaj është zhdukur", teksa flakët përhapen me shpejtësi.
Për ngjarjen autoritetet kanë arrestuar 29-vjeçarin Chamel Abdulkarim, një banor i Highland, dhe e akuzojnë atë për zjarrvënie të qëllimshme. Abdulkarim punonte për NFI Industries, e cila operon qendrën e shpërndarjes në Ontario për Kimberly-Clark, e cila prodhon produkte të tilla si Huggies, Kleenex, Scott, Kotex dhe Cottonelle.
Zjarri shkatërroi plotësisht ndërtesën, e cila kishte një sipërfaqe prej mbi 11,000 metra katrorë.
Sipas shoferit të pirunit, Alejandro Montero, kishte folur me të pandehurin rreth 15 minuta para se të shpërthente zjarri, rreth orës 12:30 të mëngjesit.
“E takova atë natë. Ai po më ndihmonte të ngarkoja rimorkion. Punuam së bashku për rreth dy orë para pushimit. Pastaj shkova te makina ime dhe aty ndodhi gjithçka”, tha ai.
Sipas tij gjatë numërimit të personelit pas evakuimit, Abdulkarimi nuk u gjet. “Në fillim ishim të shqetësuar për të, por kishte edhe zemërim. Humbëm vendet e punës. Ai na e bëri këtë të gjithëve”, u shpreh Montero.
Më shumë se 140 zjarrfikës morën pjesë në operacionin e shuarjes së zjarrit, me ndihmën e shërbimeve nga shumë zona, duke përfshirë qarqet Riverside, Los Angeles dhe San Bernardino, si dhe departamentet e zjarrfikësve nga qytetet fqinje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)