Vrasja e komisarit Lamaj, Gjykata Kushtetuese rihap dosjen Frroku

Kushtetuesja ka vendor të rihapë çështjen nda Arben Frrokut, i dënuar përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Seanca e parë do të mbahet më 17 shkurt.

26.01.2026. 16:53

Vrasja e komisarit Lamaj, Gjykata Kushtetuese rihap dosjen Frroku

Gjykata Kushtetuese ka vendosur rihapjen për gjykim të çështjes në ngarkim të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Seanca gjyqësore është caktuar të mbahet më 17 shkurt, në orën 10:00.

Vendimi vjen pas një urdhri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila konstatoi shkelje të të drejtave themelore gjatë procesit gjyqësor ndaj Frrokut. Sipas Strasburgut, çështja duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duke hapur rrugën për një rishqyrtim të plotë të dosjes.

Arben Frroku u shpall fajtor dhe u dënua përjetë nga Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2013. Megjithatë, ai aktualisht ndodhet në burg në Holandë, shtet i cili ka refuzuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.

Më herët, Frroku kishte ankimuar vendimin në Gjykatën e Lartë, e cila më 8 qershor 2017 la në fuqi dënimin, si dhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 24 prill 2018 rrëzoi kërkesën e tij. Pas këtyre vendimeve, ai iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, e cila tashmë ka çuar në rihapjen e çështjes.

Rigjykimi i dosjes Frroku pritet të sjellë zhvillime të reja në një nga çështjet më të bujshme penale të viteve të fundit në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)