“Po dixhitalizojmë të gjitha hartat”, Rama për legalizimet: Janë skanuar 54 milionë fletë, një pjesë e pamundur

Procesi i riorganizimit të Partisë Socialiste në Tiranë është shoqëruar me deklarata të forta politike nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi arritjet e qeverisë në ekonomi dhe sfidat që mbeten për t’u zgjidhur, veçanërisht në procesin e legalizimeve.

02.04.2026. 17:59

“Po dixhitalizojmë të gjitha hartat”, Rama për legalizimet: Janë skanuar 54 milionë fletë, një pjesë e pamundur

Procesi i riorganizimit të Partisë Socialiste në Tiranë është shoqëruar me deklarata të forta politike nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi arritjet e qeverisë në ekonomi dhe sfidat që mbeten për t’u zgjidhur, veçanërisht në procesin e legalizimeve.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS në njësinë nr.14 në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, Rama u ndal te zhvillimet që, sipas tij, kanë ndryshuar ndjeshëm imazhin dhe ekonominë e vendit.

“Krijimi i një respekti në arenën ndërkombëtare nuk është çështje thjesht sesi vishesh apo si flet, por është çështje se kë përfaqëson dhe çfarë përfaqëson. Ne kur kemi filluar këtë punë, Shqipëria kishte 2 milionë turistë… Kemi arritur në 12 milionë, me pasaportë të huaj. Në atë kohë mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri ishte 300-400 milionë euro në vit, ndërsa tani kemi kaluar 1.5 miliardë. Të gjitha këto janë para që hyjnë në ekonomi”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se këto shifra janë tregues i një progresi të dukshëm gjatë viteve të qeverisjes socialiste, duke e lidhur këtë me rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te procesi i legalizimeve, duke pranuar se një pjesë e ndërtimeve nuk mund të legalizohen për shkak të kufizimeve ligjore.

“Janë bërë shumë legalizime, janë bërë rreth 300 mijë. Një pjesë e tyre janë të pamundura me ligjin aktual, jo është mbi kolektor, jo është mbi rrugë. Por gjithsesi një pjesë tjetër duhen bërë sepse mund të bëhen”, tha ai.

Rama ngriti shqetësimin për padrejtësitë në trajtimin e aplikimeve ndër vite, duke kërkuar vendosjen e një sistemi të ri me kritere të qarta.

“Do bëhet një sistem tani me kritere të qarta, me vite dhe njerëzve do u thuhet prit se jemi në vitin X. Kjo do krijojë më shumë qartësi për njerëzit”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi gjithashtu se po vijon puna për dixhitalizimin e hartave kadastrale, duke theksuar përmasat e procesit.

“Ne po dixhitalizuar të gjitha hartat. Deri më tani janë skanuar 54 milionë fletë. Kështu që llogariteni vet sa punë e madhe është bërë”, deklaroi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)