Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte deklaroi se aleanca nuk po “injoron rreziqet”, duke theksuar se vendet anëtare po lëvizin me shpejtësi për të siguruar buxhetet e nevojshme për forcimin e ushtrive të tyre.
Gjatë një fjalimi, në Uashington Rutte u ndal edhe te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin me Iranin, duke pranuar se disa aleatë kanë reaguar me vonesë në ofrimin e mbështetjes logjistike.
“Kur erdhi momenti për të ofruar mbështetjen që SHBA-të kishin nevojë në Iran, disa aleatë ishin disi të ngadaltë,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo lidhej edhe me faktin që sulmet fillestare u mbajtën të fshehta për të ruajtur elementin e surprizës, vendim i marrë nga presidenti Donald Trump.
Megjithatë, Rutte theksoi se aktualisht vendet evropiane po japin një kontribut të konsiderueshëm. “Pothuajse pa përjashtim, aleatët po bëjnë gjithçka që kërkojnë SHBA-të,” deklaroi ai, duke shtuar se kërkesat e Uashingtonit janë dëgjuar dhe po zbatohen.
Kreu i NATO-s vlerësoi gjithashtu rolin e Mbretërisë së Bashkuar, e cila sipas tij po udhëheq një koalicion vendesh për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Rutte, këto zhvillime tregojnë një ndryshim të qartë në qasjen e aleatëve ndaj çështjeve të sigurisë dhe angazhimit ushtarak në nivel ndërkombëtar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)