“S’marrin vesh pa presion”, Trump kritika Aleancës; Merz: Nuk dua që lufta ta përçajë NATO-n

Europianët ju përgjigjën Donald Trumpit me Friedrich Merz. Lideri i Gjermanisë ka thënë sot se ai nuk do të donte që fushata ushtarake SHBA-Izrael në Lindjen e Mesme të “përçante” NATO-n ose të ushtronte presion të mëtejshëm mbi marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe aleatëve të saj në Evropë.

09.04.2026. 20:00

“S’marrin vesh pa presion”, Trump kritika Aleancës; Merz: Nuk dua që lufta ta përçajë NATO-n

Konflikti në Lindjen e Mesme duket se po krijon një krisje të thellë brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut, me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump që edhe gjatë pasdites u ndal të kritikonte aleatët e NATO-s.

“Fatkeqësisht, askush, as të tanët, as NATO, nuk duket se e kuptojnë situatën nëse nuk vihen nën presion të fortë!!!”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke lënë të kuptohet se aletatët e braktisën Amerikën në luftën përballë Iranit, të cilën shefi i Shtëpisë së Bardhë e konsideron serioze.

Postimi vjen menjëherë pasi Reuters duke ju referuar dy diplomatëve evropianë raportoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, informoi disa kryeqytete evropiane se Donald Trump dëshiron angazhime specifike në ditët në vijim për të ndihmuar në sigurimin dhe funksionimin e Ngushticës së Hormuzit.

Dje, pas takimit të tij me presidentin e SHBA-ve, Rutte tha se Trump ishte “qartësisht i zhgënjyer” që aleatët e SHBA-së refuzuan të merrnin pjesë në luftën kundër Iranit.

Ndërkohë në krahun tjetër, Europianët u përgjigjën me Friedrich Merz. Lideri i Gjermanisë ka thënë sot se ai nuk do të donte që fushata ushtarake SHBA-Izrael në Lindjen e Mesme të “përçante” NATO-n ose të ushtronte presion të mëtejshëm mbi marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe aleatëve të saj në Evropë.

Po ashtu Merz ka sugjeruar se Gjermania mund të luajë një rol në garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit. Duke iu përgjigjur kritikave të fundit të Donald Trump ndaj Aleancës, Merz tha: “Ne nuk duam, unë nuk dua, një përçarje në NATO”.

“NATO është garantuese e sigurisë sonë, duke përfshirë dhe mbi të gjitha sigurinë në Evropë”, theksoi ai duke paralajmëruar se lufta nuk duhet të tendosë më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë.

Në të njëjtën kohë, ai minimizoi rrezikun e një tërheqjeje ose reduktimi të pranisë së trupave amerikane në Gjermani, pas raportimeve se Trump po shqyrtonte një mundësi të tillë.

Kancelari gjerman  pranoi se lufta me Iranin ka qenë një "provë force" për NATO-n dhe tha se nuk donte të tendoste më tej marrëdhëniet transatlantike. Merz tha se kishte diskutuar të ardhmen e aleancës me Donald Trump në një telefonatë të mërkurën dhe sugjeroi vazhdimin e diskutimit para samitit të NATO-s në Ankara, në korrik.

"Është qëllimi im i vendosur të bëj gjithçka për të ruajtur mbrojtjen e NATO-s, përfshirë SHBA-në, për Evropën", tha ai, duke shtuar se "kjo aleancë, të paktën për momentin, nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër”.

“Kështu që kam një interes të madh ta ruaj dhe ta zhvilloj më tej atë së bashku me presidentin amerikan", theksoi Merz.
 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)