Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian, duke e lidhur këtë me vendimin për mos-heqjen e imunitetit ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se vendi ndodhet në një situatë “vendnumëro” dhe se pa miratimin unanim të raportit nga vendet anëtare, Shqipëria nuk mund të avancojë në mbylljen e kapitujve. “Shqipëria është e bllokuar, në vend numëro, nuk ecën dot para. Deri sa vendet e BE të mos e miratojnë në mënyrë unanime raportin e standardeve, Shqipëria nuk do të mundet të ecë përpara në mbylljen e kapitujve”, deklaroi ai.
Sipas tij, vendimi për të mos lejuar arrestimin e Ballukut është antikushtetues dhe ka pasoja serioze për luftën kundër korrupsionit. “Ky është vendim antikushtetues, me pasoja të rënda, shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha, duke shtuar se ky veprim ka detyruar disa vende të BE-së të bllokojnë progresin e Shqipërisë.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për situatën, duke pretenduar se ai ka vepruar për të mbrojtur veten. “Rama me vendimin që mori për të mbrojtur veten e tij. Bllokoi de-facto procesin e BE”, u shpreh ai.
Në vijim, ai shtoi se integrimi evropian është një investim i madh kombëtar dhe ndërkombëtar, por sipas tij është dëmtuar nga qeveria aktuale. “Rama i mbylli dyert së bashku me Lubi Ballukun… por njeriu që mbylli dyert e Europës është Rama”, deklaroi Berisha.
Ai gjithashtu iu referua raportit të Komisionit Evropian, duke theksuar shqetësimet për presion ndaj drejtësisë, korrupsionin dhe lirinë e mediave si faktorë që ndikojnë në rrugën e integrimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)