Në kohë krize, Greqia shpall paketë të re ndihme 500 milionë euro, përfitojnë edhe shqiptarët

Nga kjo paketë pritet të përfitojnë edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Greqi, të integruar në sistemin ekonomik dhe social të vendit fqinj. Paketa, me një kosto totale prej rreth 500 milionë euro, përfshin një sërë lehtësish direkte financiare.

Burimi: Protothema

22.04.2026. 17:59

Në kohë krize, Greqia shpall paketë të re ndihme 500 milionë euro, përfitojnë edhe shqiptarët

Qeveria greke ka prezantuar një paketë të re masash ekonomike në mbështetje të qytetarëve, me synim lehtësimin e kostos së jetesës dhe forcimin e mirëqenies familjare, në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme ka nisur të rëndojë ndjeshëm në buxhetet e familjeve me rritjen e çmimit të karburantit, energjisë dhe shportës bazë.

Nga kjo paketë pritet të përfitojnë edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Greqi, të integruar në sistemin ekonomik dhe social të vendit fqinj. Paketa, me një kosto totale prej rreth 500 milionë euro, përfshin një sërë lehtësish direkte financiare dhe masa mbështetëse për kategori të ndryshme shoqërore, nga familjet me fëmijë deri te pensionistët dhe fermerët.

Gjatë prezantimit të saj, kryeministri grek Qiriakos Micotaqis theksoi se këto ndërhyrje janë rezultat i performancës pozitive të ekonomisë. “Ekonomia kombëtare po qëndron dhe po performon më mirë se sa pritej. Por shqetësimi për kostot e jetesës mbetet real për familjet tona”, u shpreh ai.

Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që përfitimet ekonomike, si sufiçiti i buxhetit grek, të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët, pasi “çdo arritje kolektive duhet të përkthehet gradualisht edhe në mirëqenie individuale”.

Ndër vendimet më të rëndësishme është zgjatja e subvencionimit të naftës me 20 cent për litër edhe për muajin maj, si një lehtësim i drejtpërdrejtë për konsumatorët dhe bizneset. Në mbështetje të sektorit bujqësor, qeveria e Athinës ka vendosur të vazhdojë deri në gusht subvencionimin e plehrave kimike me 15% të vlerës së faturës, duke ndihmuar rreth 250 mijë fermerë.

Një tjetër masë e rëndësishme është ndihma e jashtëzakonshme prej 150 euro për çdo fëmijë për familjet, e cila do të shpërndahet automatikisht në fund të qershorit. Kjo mbështetje pritet të prekë rreth 1 milion familje.

Ndërkohë, pensionistët me të ardhura të ulëta, të moshuarit pa sigurim dhe personat me aftësi të kufizuara do të përfitojnë një ndihmë të rritur në 300 euro, e cila do të jepet çdo nëntor dhe do të përfshijë rreth 85% të pensionistëve mbi 65 vjeç.

Qeveria ka zgjeruar gjithashtu skemën e rimbursimit të qirasë, duke përfshirë edhe dhjetëra mijëra familje të reja dhe duke mbështetur në total mbi 1 milion qiramarrës.

Paketa përfshin edhe masa të rëndësishme për qytetarët me detyrime financiare. Bllokimi i llogarive bankare mund të hiqet nëse paguhet 25% e borxhit dhe rregullohen detyrimet e tjera.

Gjithashtu, në mekanizmin jashtëgjyqësor tashmë përfshihen edhe borxhet nga 5 mijë deri në 10 mijë euro. Një nga vendimet më të rëndësishme është mundësia për shlyerjen e borxheve të krijuara deri në dhjetor 2023 në deri në 72 këste.

Sipas Micotaqis, këto masa janë të balancuara dhe nuk rrezikojnë stabilitetin ekonomik. “Këto janë ndërhyrjet më të mira të mundshme pa vënë në rrezik ekuilibrin fiskal që kemi arritur me shumë përpjekje”, tha kreu i qeverisë helene.

Ai e cilësoi paketën si një “mburojë ndaj krizës aktuale”, duke theksuar se ajo synon të mbështesë shumicën e qytetarëve në një periudhë pasigurie ndërkombëtare. “Përpjekjet e qytetarëve japin rezultate dhe, pavarësisht vështirësive, ka arsye për shpresë”, nënvizoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)