Mali i Zi duket të jetë vendi i parë që do të thyejë “mallkimin” e Ballkanit Perëndimor, duke u bërë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Fqinji ynë veri-perëndimor nga dita e sotme ka hyrë zyrtarisht në fazën e fundit të procesit të anëtarësimit, teksa ambasadorët e BE-së miratuan grupin e punës për traktatin e pranimit të Malit të Zi.
Lajmi i raportuar nga Radiotelevizioni i Malit të Zi u konfirmua edhe nga presidenca Qipriote e Këshillit të BE-së.
"Sot, ambasadorët e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) miratuan krijimin e një grupi pune ad hoc për të përgatitur Traktatin e Pranimit të Malit të Zi. Presidenca Qipriote ka punuar shumë për të siguruar që grupi i punës të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht duke pasur parasysh punën e gjatë teknike që duhet të përfundojë përpara se të fillojë hartimi aktual i Traktatit të Pranimit. Jemi të bindur se kjo do të dërgojë një mesazh të qartë se pranimi është i arritshëm për partnerët nga vendet e zgjerimit", tha një zëdhënës i Presidencës Qipriote.
Se marrëveshja e pranimit të Malit të Zi do të jetë e para që do të përfshijë mekanizma të rinj mbrojtës, u deklaroi së fundmi nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
"Klauzolat mbrojtëse nuk janë asgjë e re, por kjo do të jetë e re. Dhe kjo tani lidhet me rishikimet e politikave para zgjerimit. BE-ja duhet të përgatitet institucionalisht, politikisht dhe financiarisht", tha Kos.
Kos reagoi edhe pas vendimit të miratuar sot duke thënë se “vendi i Malit të Zi brenda BE-së tani po merr formë”.
“Sot, shtetet anëtare vendosën të fillojnë hartimin e Traktatit të Pranimit të Malit të Zi në BE. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat. Gjithashtu ofron një shans për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e kaluara dhe për të përfshirë mbrojtje të reja dhe më të forta në traktatet e ardhshme të pranimit për të parandaluar kthimin prapa në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore”, shkroi Komisionerja për Zgjerimin.
Ndërkohë, ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviç tha se ky është një "moment historik dhe hapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në BE", i cili vjen si një sinjal i qartë dhe konfirmim i mbështetjes së fortë të unionit për gjithçka që është arritur në periudhën e mëparshme.
“Lajme të shkëlqyera po vijnë nga Brukseli. Formimi i Grupit të Punës për hartimin e Traktatit të Pranimit të Malit të Zi në BE është një tjetër konfirmim se jemi në rrugën e duhur që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028", deklaroi Gorçeviç.
Ajo shtoi se krijimi i një grupi pune ad hoc është një praktikë standarde në procesin e zgjerimit, por në këtë moment, pas shumë vitesh, ai mbart një mesazh të fortë politik dhe konfirmon se Bashkimi Evropian ka besim tek kjo qeveri për të përfunduar procesin e negociatave brenda afatit të planifikuar, deri në fund të vitit.
Ajo shpjegoi se detyra e këtij grupi do të jetë koordinimi i përgatitjes përfundimtare ligjore dhe teknike të Traktatit, duke përfshirë përcaktimin e periudhave kalimtare dhe mekanizmave mbrojtës, në mënyrë që të sigurohet integrimi gradual dhe i qëndrueshëm i Malit të Zi në kuadrin ligjor dhe institucional të Bashkimit Evropian.
Traktati i Anëtarësimit përgatitet teknikisht paralelisht me fazën përfundimtare të procesit të negociatave, por finalizohet vetëm pasi të jenë mbyllur të gjitha kapitujt negociues. Kjo do të thotë që Mali i Zi duhet të demonstrojë përafrim të plotë të legjislacionit të tij me acquis të Bashkimit Evropian, kapacitet administrativ të vendosur për zbatimin e tij, si dhe një plan të qartë për financimin dhe kryerjen e detyrimeve të marra përsipër.
Një rëndësi e veçantë reflektohet edhe në faktin se ky do të jetë Traktati i parë i Anëtarësimit pas 13 vjetësh që nga zgjerimi i fundit, duke e bërë atë një traktat të gjeneratës së re dhe një model potencial për zgjerimet e ardhshme.
Mali i Zi deri më tani ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt negociues me BE-në.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)