Policia e Gjirokastrës ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ku humbi jetën 30-vjeçari Endri Goxhaj, ndërsa i plagosur mbeti Dali Nela.
Nga hetimet rezulton se gjithçka nisi si një konflikt i menjëhershëm fizik mes shtatë personave. Gjatë përplasjes, dyshohet se Goxhaj ka qëlluar i pari me armë zjarri në drejtim të Dali Nelës, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Situata më pas ka degraduar, ku dy vëllezërit, Donald dhe Marjaldo Nela, dyshohet se kanë hapur zjarr ndaj Goxhajt. Si pasojë e plagëve të marra, 30-vjeçari ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Autorët e dyshuar janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim, ndërsa policia po vijon punën për kapjen e tyre.
Në lidhje me ngjarjen janë ndaluar Dali Nela dhe Aldo Kalemi, të dyshuar për “vrasje me dashje në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë Ermal Mataj për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri, municion luftarak, dy automjete, dy motomjete dhe katër telefona celularë, si dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
NJOFTIMI:
Zbardhen rrethanat e ngjarjes, ndodhur mbrëmjen e datës 21.04.2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri shtetasi E. G. dhe mbeti i plagosur shtetasi D. N. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, vijuan hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur mbrëmë, në Memaliaj.
Si rezultat i hetimeve, u vunë në pranga shtetasit:
D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";
E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç dhe vëllai i tij, shtetasi M. N., 28 vjeç, të dy për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale "Deklaratat e rreme përpara prokurorit", si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale "Kanosja".
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. N. (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, 2 vëllezërit e shtetasit D. N. (2 shtetasit e shpallur në kërkim, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç), dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. G. (i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital).
Të dy këta shtetas janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se shtetasi E. G. (i cili më pas humbi jetën) plagosi shtetasin D. N., 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)