Ndërron jetë i riu rumun në burgun e Shkodrës, nisin hetimet

Një i paraburgosur rumun ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në burgun e Shkodrës. 21 vjeçari u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.

25.01.2026. 15:00

Ndërron jetë i riu rumun në burgun e Shkodrës, nisin hetimet

Një i ri 20-vjeçar ka ndërruar jetë paraditen e së dielës në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër, ku ndodhej në paraburgim prej tetorit të vitit 2024.

Sipas të dhënave zyrtare, i riu ishte arrestuar për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, ndërsa prej disa muajsh po mbahej me masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ai ishte me origjinë nga Rumania dhe banonte në Shkodër.

Ngjarja është konstatuar gjatë paradites, kur personeli i institucionit e ka gjetur të riun në shtrat, në gjendje të rënduar shëndetësore. Menjëherë është njoftuar stafi mjekësor i burgut, i cili pas vlerësimit fillestar ka konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe ka dhënë ndihmën e parë.

Për shkak të gjendjes së rëndë, është vendosur transportimi i tij urgjent drejt Spitalit të Koplikut, si struktura shëndetësore më e afërt. Gjatë transportit, i riu ka qenë nën kujdesin e personelit shëndetësor. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme në urgjencë, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Autoritetet kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa priten edhe rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore. Deri më tani, nuk ka të dhëna për shenja dhune, ndërsa rasti mbetet nën hetim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)