12 orë debat, mbyllet maratona e Kuvendit, nuk ka komisione hetimore për AKSHI-n dhe ARRSH

Gjatë diskutimeve, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, argumentoi se kërkesat e opozitës janë antikushtetuese dhe tejkalojnë kompetencat e Kuvendit. Sipas tij, parlamenti nuk mund të ushtrojë hetime penale, pasi kjo është kompetencë e organeve të drejtësisë.

09.04.2026. 22:41

12 orë debat, mbyllet maratona e Kuvendit, nuk ka komisione hetimore për AKSHI-n dhe ARRSH

Seanca maratonë e kësaj të enjteje, prej rreth 12 orësh në Kuvend, u mbyll me debate të forta dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Mazhoranca rrëzoi kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, përkatësisht për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Për të dyja nismat votuan kundër 76 deputetë socialistë, ndërsa morën vetëm 28 vota pro.

Gjatë diskutimeve, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, argumentoi se kërkesat e opozitës janë antikushtetuese dhe tejkalojnë kompetencat e Kuvendit. Sipas tij, parlamenti nuk mund të ushtrojë hetime penale, pasi kjo është kompetencë e organeve të drejtësisë.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi disa projektligje të rëndësishme. Me 76 vota pro u miratuan ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe projektligji për portet turistike. Nga ana tjetër, deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se fenomeni i pastrimit të parave ekziston në Shqipëri, por theksoi se ai është i pranishëm edhe në vende të tjera të rajonit.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, mazhoranca rrëzoi edhe kërkesën e opozitës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, si dhe propozimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një nisme për zbutjen e efekteve të rritjes së çmimeve të karburanteve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)