Shqipëria dhe Franca, marrëveshje për shkollat dygjuhëshe

Ministrja e Arsimit, Kumbaro premtoi fuqizimin e rrjetit të shkollave dygjuhëshe në Korçë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë: Liceu francez, një model i ekselencës publike me orientim shkencor.

02.12.2025. 12:08

Shqipëria dhe Franca, marrëveshje për shkollat dygjuhëshe

Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe qeveria franceze kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi që synon forcimin e seksioneve dygjuhëshe shqip–frëngjisht në shkollat në Shqipëri. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një takimi me mësuesit e frëngjishtes në arsimin parauniversitar, e shoqëruar nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, u shpreh se rrjeti i shkollave dygjuhëshe në Korçë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë duhet të fuqizohet falë punës së një armate të jashtëzakonshme të mësuesve të frëngjishtes, ndërsa theksoi se mësimi i gjuhës franceze sot është një avantazh për të ardhmen.

“Të gjitha takimet që janë bërë me mësusesit e frëngjishtes, jo vetëm të skesionit dygjuhësh në Korçë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë, por me të gjithë armatën e jashtëzakonshme të mësuesve që çdo ditë kontribuojnë të pazëshëm në përgatitjen e nxënësve.”

Ministrja tha se mësimi i frëngjishtes do t’u japë mundësi shumë të rinjve, duke i parapërgatitur ata  të studiojnë në liceun franko-shqiptar, me orientim shkencor, i cili pritet të hapë dyert në shtator të vitit 2027.

“Sot mësimin e frëngjishtes kemi arritur ta shtrimë përtej shkollave, për ata fëmijë dhe familje që e kanë kuptuar avantazhin e të mësuarit të frëngjishtes për ta kthyer në një gjuhë shkolle e pune, ndër të tjera t'i përgatisim edhe për liceun franko-shqiptar, sipas synimit që kemi për ta hapur në shtator të vitit 2027. Liceu franko-shqiptar do të jetë një gjimnaz publik, me fjetoren, mensën, klasa moderne, laboratore, sepse do të jetë një lice me orientim shkencor, ku lëndët do të mësohen në frëngjisht me pedagogë francezë dhe në shqip me pedagogë shqiptarë, sidomos për disa lëndë me karakter kombëtar që kanë të bëjnë me formimin themelor të të rinjve”, tha ministrja Kumbaro.

Ambasadorja Catherine Suard nga ana tjetër u shpreh se liceu franko-shqiptar do të sjellë të rinj frankofonë të cilët do të jenë ura lidhëse mes dy vendeve: "Është një privilegj që udhëheqësit e dy vendeve, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri Edi Rama kanë dëshiruar duke u mbështetur  tek historia, por duke dhënë një mesazh drejt së ardhmes, se është e rëndësishme që edhe në Shqipëri të kemi një lice franko-shqiptar i cili kontribuon në evropianizimin e arsimit, që na sjell të rinj frankofonë të cilët do të jenë ura lidhëse mes dy vendeve tona."

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e Francës Catherine Suard, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mbi shkollat dygjuhëshe në 5 qytete, siç janë “Raqi Qirinxhi”, “Gjergj Kastrioti”, “Luigj Gurakuqi”, “Oso Kuka” dhe “Asim Vokshi”. Në këto shkolla kurrikula zhvillohet deri në 50% në gjuhën frënge, duke u dhënë nxënësve edhe certifikimin ndërkombëtar të frëngjishtes përmes provimit DELF, sikundër mbështeten edhe 20 shkolla 9-vjeçare për këtë sistem dygjuhësh.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)