Kosova pret Presidentin e ri, Kurti jep sinjale zgjidhjeje por jo emra: Do ftoj në takim liderët e opozitës

I pyetur për mundësinë e tërheqjes së kandidaturave për president, përfshirë atë të Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, Kurti u shpreh se gjithçka do të varet nga mundësitë ligjore dhe zhvillimet politike.

30.03.2026. 16:01

Kosova pret Presidentin e ri, Kurti jep sinjale zgjidhjeje por jo emra: Do ftoj në takim liderët e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar nisjen e një seri takimesh me liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Kurti bëri të ditur se shumë shpejt do të dërgojë ftesa zyrtare për opozitën, me synimin për të arritur konsensusin e nevojshëm në Kuvend.

“Padyshim që do të bëj ftesa për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, deklaroi ai.

Ai theksoi se nuk mjafton vetëm sigurimi minimal i votave, por kërkohet një pjesëmarrje dhe mbështetje më e gjerë për të garantuar suksesin e procesit.

“Unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81, duhet të jemi rreth 84-86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, konsultimet brenda shumicës qeverisëse do të zhvillohen në ditët në vijim, ndërsa më pas do të konkretizohen edhe takimet me opozitën. Kurti gjithashtu nuk dha detaje për ofertat që mund t’u bëhen partive opozitare, duke theksuar se kjo do të bëhet e ditur vetëm pas zhvillimit të takimeve.

“Për këtë do të bëjmë edhe ftesa e do të ketë edhe takime, por çfarë ofertash do të ketë në ato takime duhet të presim që të ndodhin ato takime”, shtoi ai.

I pyetur për mundësinë e tërheqjes së kandidaturave për president, përfshirë atë të Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, Kurti u shpreh se gjithçka do të varet nga mundësitë ligjore dhe zhvillimet politike.

“Do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”, tha ai shkurt.

Procesi për zgjedhjen e presidentit është futur tashmë në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila më 25 mars vendosi që Kuvendi ka 34 ditë kohë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Nëse ky afat nuk respektohet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh. Sipas këtyre afateve, qytetarët mund t’u drejtohen kutive të votimit deri më 7 qershor.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por për mbajtjen e seancës kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)