“Kur duhej të zgjidhje Europën, mbrojte veten”, Bardhi kritika Ramës për negociatat me BE-në

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi akuzon kreun e qeverisë se procesi i integrimit ka ngecur për shkak të mbrojtjes së korrupsionit nga ana e tij, duke ju referuar këtu çështjes “Balluku” dhe refuzimit të mazhorancës për ta dorëzuar në “duart” e SPAK.

30.03.2026. 17:28

“Kur duhej të zgjidhje Europën, mbrojte veten”, Bardhi kritika Ramës për negociatat me BE-në

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi akuzon kreun e qeverisë se procesi i integrimit ka ngecur për shkak të mbrojtjes së korrupsionit nga ana e tij, duke ju referuar këtu çështjes “Balluku” dhe refuzimit të mazhorancës për ta dorëzuar në “duart” e SPAK.

Bardhi tha se hetimet e SPAK për Belinda Ballukun, “e kanë nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën”.

“Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike… është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve”, shkruan ai më tej, duke shtuar se “besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit”.

Ai thekson se, deri më tani, vendet anëtare të BE-së nuk kanë dhënë asnjë vendim për të miratuar ecurinë e reformave të Shqipërisë. “Negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin. Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull”, shprehet Bardhi, duke vënë në pikëpyetje edhe objektivin e shpallur nga qeveria për anëtarësim brenda katër viteve.

Në reagimin e tij, Bardhi kritikon edhe mënyrën se si kreu i ekzekutivit ka komunikuar për këtë çështje, duke u shprehur se “Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro”.

Në përfundim të reagimit, Bardhi akuzon kryeministrin se ka zgjedhur të mbrojë interesat e tij personale në vend të rrugës europiane të vendit.

“Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)