Dy herë në pak ditë, Kushtetuesja në Kosovë rrëzon sërish Presidenten Osmanin

Osmani kishte kërkuar nga gjykata vlerësimin e një konflikti të kompetencave kushtetuese mes saj dhe grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, duke u bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, në lidhje me procedurat për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

30.03.2026. 18:49

Dy herë në pak ditë, Kushtetuesja në Kosovë rrëzon sërish Presidenten Osmanin

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar për të dytën herë në vetëm pak ditë, Presidentin Vjosa Osmani.

Pasi e shpalli antikushtetues dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje, Kushtetuesja e ka konsideruar të papranueshme edhe kërkesën e Kryetares së Shtetit për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani kishte kërkuar nga gjykata vlerësimin e një konflikti të kompetencave kushtetuese mes saj dhe grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, duke u bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, në lidhje me procedurat për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në këtë rast nuk janë plotësuar kriteret kushtetuese për ekzistencën e një “konflikti të kompetencave kushtetuese”.

Sipas vendimit, kompetenca që presidentja pretendon nuk buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta, por nga Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, konkretisht nga paragrafi 6 i nenit 61. Gjykata theksoi gjithashtu se në Kushtetutë nuk përcaktohet në mënyrë specifike që presidenti ka të drejtë të emërojë anëtarët e KQZ-së.

“Në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar për të ngritur çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të ‘kompetencave kushtetuese’, dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”, thuhet në vendim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)