Me dy shishe ujë në Kuvend, ‘Neomalësorja’ ngre alarmin për ndotjen e lumit Drin

Në njërën prej shisheve që ‘Neomalësorja’ mbante në duar gjendej ujë i pastër si kristal, ndërsa në tjetrën ujë i turbullt me ngjyrë të verdhë në kafe, si për të treguar ndryshimin që uji në rrjedhën e Drinit ka pësuar ndër vite.

30.03.2026. 19:20

Me dy shishe ujë në Kuvend, ‘Neomalësorja’ ngre alarmin për ndotjen e lumit Drin

“Lumi as nuk pret, as nuk bën politikë”. Me këto fjalë dhe dy shishe ujë në duar, deputetja socialiste e qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, u paraqit në seancën e sotme parlamentare, duke ngritur nga foltorja e Kuvendit alarmin për ndotjen e lumit Drin.

Në njërën prej shisheve që ‘Neomalësorja’ mbante në duar gjendej ujë i pastër si kristal, ndërsa në tjetrën ujë i turbullt me ngjyrë të verdhë në kafe, si për të treguar ndryshimin që uji në rrjedhën e Drinit ka pësuar ndër vite.

“Kam ardhur sot jo me raporte, as me statistika, por me dy shishe me ujë. Ky është uji i Drinit siç e mban mend gjyshi im, i gjallë, i ftohtë, i pastër, siç ka qenë dikur. Ndërsa ky, është uji i Drinit sot siç e shohin mijëra vizitorë dhe mysafirë që vijnë nga të tëra anët e botës për të parë Shqipërin. Sot janë mbi 30 bujtinarë që nuk kanë një përgjigje për turistët që pyesin se ç’po ndodh me Drinin. Turistët largohen më herët ose nuk rikthehen duke sjellë një dëm të madh ekonomik”, u shpreh deputetja.

Foto: LSA

Sipas saj, cilësia e ujit është përkeqësuar ndjeshëm, pavarësisht përpjekjeve për pastrim, ku janë larguar rreth 30 ton mbetje plastike. Koçeku theksoi se situata po ndikon drejtpërdrejt edhe në turizëm, duke sjellë pasoja ekonomike për zonën.

“Është pasojë e dy shteteve shqiptare që ende nuk kanë mundur të zgjidhin bashkë një problem të përbashkët. Unë sot po kërkoj pikërisht këtë: ta zgjidhim bashkë. Zgjidhja ekziston dhe ekspertët e kanë thënë. Së pari, na duhet një marrëveshje ndërkufitare mes Shqipërisë e Kosovës dhe veprim konkret. Së dyti, rrjeta e barriera në rrjedhën e Drinit të Bardhë e të Zi për me dalë mbetjet para se të kalojë kufirin. Së treti, investim në impiante pastrimi të ujërave të zeza në komunat kosovare përgjatë Drinit me bashkëfinancim prej BE, i cili ka tashmë 50 milionë euro të alokuara për ujin në veri. Së katërti, monitorim të vazhdueshëm, jo 4 herë në vit, por çdo muaj dhe me raporte publike. Kjo shishe nuk ka ngjyrën e Shqipërisë, as të Kosovës. Ka ngjyrën e dështimit të dy shteteve për të mbrojtur atë që është më e rëndësishmja: ‘Natyrën, ujin, të ardhmen tonë’”, deklaroi ajo.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)