Trajneri i kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka vlerësuar maksimalisht Kosovën në prag të finales së play-off-it për Botërorin, që luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokri”, të Prishtinës.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku italian theksoi se “Dardanët” kanë arritur deri në këtë fazë me meritë të plotë, duke nënvizuar organizimin dhe qartësinë taktike të ekipit.
“Kosova ka ardhur deri këtu me meritë. Nga ana taktike dallohet qartë struktura e tyre, kanë një lojë dhe ide shumë të qartë, gjë që shihet edhe gjatë ndeshjes. Do të përballemi në një finale dhe edhe ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë, sepse e dimë çfarë duam të bëjmë”, u shpreh Montella.
Ai foli gjithashtu për rrugëtimin e Turqisë nën drejtimin e tij, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme nga Federata dhe progresin e skuadrës në arenën ndërkombëtare.
“Që nga dita e parë kam ndjerë mbështetje të madhe. Nëse kemi një mesatare të lartë pikësh në ndeshje zyrtare, kjo është falë kësaj mbështetjeje. Jemi bërë një kombëtare e respektuar, jemi ngjitur në Ligën e Kombeve dhe kemi përmirësuar renditjen në FIFA”, deklaroi ai.
Montella nuk kurseu fjalët e mira edhe për lojtarët e tij, duke theksuar lidhjen e fortë që ka krijuar me skuadrën. “Lojtarët e mi i ndiej si familjen time. Pavarësisht rezultatit ndaj Kosovës, mendimet e mia për ta nuk do të ndryshojnë kurrë. Nuk do t’i ndërroja me asgjë”, përfundoi trajneri i Turqisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)