Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin e Levantes, në Valencia, ku do të përballet nesër mbrëma në një ndeshje miqësore me Ukrainën.
Kuqezinjtë vijnë pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë, rezultat që i largoi nga gara për një vend në Kupën e Botës 2026, ashtu si edhe verdhekaltërit që humbën në play off përballë Suedisë.
Në prag të kësaj sfide, trajneri Sylvinho theksoi se skuadra duhet të reagojë, edhe pse situata emocionale pas eliminimit nuk është aspak e lehtë.
“Ishte e vështirë për ne të vinim këtu, jemi të mërzitur me rezultatin ndaj Polonisë. Por është e vështirë të përgatitësh këtë ndeshje në këtë situatë, si Ukraina. Ke vëmendjen më të madhe, që të luash ndeshjen më të rëndësishme për ne e për ju, pastaj 3-4 ditë më vonë je i mërzitur dhe vjen këtu. Unë nuk besoj në ndeshjet miqësore, kur shkon në fushë duhet të jesh i përqendruar, të bësh 100% për 90 minuta. Janë disa lojtarë që thonë ‘trajner jam këtu, mund të luaj 45 minuta apo 90’.
Duhet t’i hedhësh një sy, unë nuk besoj që të ndryshoj 5-6-7 lojtarë, kështu jam unë. Nuk mendoj se është mundësia, por është si një plan. Mundësia për të luajtur është nëse gjërat funksionojnë. Nëse nuk ke ide apo gjërat nuk ecin në fushë, ndoshta nuk është një mundësi për mua. Po mendoj për ndonjë lojtar. Duhet të organizosh skuadrën si zakonisht, por të mendosh për 2-3 ndoshta 4 zëvendësime”, u shpreh Sylvinho.
Kjo ndeshje mund të jetë edhe e fundit për brazilianin në stolin e Shqipërisë, pasi kontrata e tij me FSHF-në përfundon në muajin korrik dhe ende nuk ka një vendim për rinovimin, por Sylvinho nuk e komentoi këtë çështje.
Nga ana tjetër, kapiteni Berat Gjimshiti pranoi zhgënjimin për humbjen ndaj Polonisë, por bëri thirrje që skuadra të reagojë dhe të shohë përpara.
“Sigurisht që udhëtimi ka qenë shumë i mirë dhe pozitiv. Jeta është e shpejtë dhe ndodh vetëm ajo që është në prezencë, ajo humbje në Poloni e cila prish atë bukurinë që kemi bërë tre vitet e fundit. Por prapë jemi pozitivë. Në këto momente mund të jetë kohë negative, por ta marrim me forcë dhe ta kthejmë në pozitivitet.
Është ndeshje e fortë, është kundërshtar që ka luajtur në nivele të forta, kemi qenë së bashku në kualifikueset e Europianit, për biletën e fundit për në Botëror. Duhet vlerësuar ekipi kundërshtar. Jemi të mërzitur, sa më shumë kalon, duhet të mendojmë për ndeshjet dhe t’i marrim gjërat pozitive. T’i marrim gjërat negative dhe t’i kthejmë në pozitive në ndeshjet e ardhshme të kombëtares.
Vlerësimi është i lartë, kemi kaluar shumë vite pozitive te Atalanta. E vlerësoj si njeri dhe lojtar. Edhe në këtë ekip të Ukrainës është lojtar kyç dhe ndër lojtarët më të mirë. Ka gjuajtjen e fortë nga distanca dhe nuk duhet t’i lëmë hapësira”, deklaroi Gjimshiti.
Sfida ndaj Ukrainës pritet të shërbejë si një test i rëndësishëm për kuqezinjtë, si për të rikthyer besimin, ashtu edhe për të parë alternativa në formacion për fushatën e ardhshme të kualifikueseve për Europianin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)