Vdekja e të arrestuarit Bledi Panajoti në ambientet e Bllokut të Sigurisë, pas ndalimit nga Policia e Tiranës sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit mudn të ishte evituar nëse do të ishin ndjekur rekomandimet e mjekëve, të cilat konstatohet se nuk janë zbatuar, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore të të ndjerit.
Panajoti, i arrestuar për vjedhje humbi jetën më 20 mars 2026 në qelitë e paraburgimit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Sipas KShH, gjatë qëndrimit në paraburgim, ai është dërguar tre herë në spital për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, megjithatë, pas kthimit në qeli, rekomandimet e mjekëve specialistë nuk janë ndjekur.
“Pavarësisht rekomandimeve të dhëna nga mjekët e shërbimit të urgjencës për ndjekje nga specialistët (toksikolog, endokrinolog dhe psikiatër), këto rekomandime nuk rezultojnë të jenë zbatuar”, thekson KShH në deklaratë.
Sipas të dhënave të verifikuara, i ndjeri kishte deklaruar vetë probleme të shumta shëndetësore, përfshirë diabetin për të cilin përdorte insulinë, hepatitin C, tuberkulozin dhe varësinë nga lëndët narkotike.
Ngjarja ka ndodhur në një interval shumë të shkurtër kohor. Panajoti u shoqërua në ambientet e sigurisë më 18 mars në mbrëmje, ndërsa vetëm disa orë më pas u dërgua me urgjencë në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes dhe pasi mori trajtim, ai u rikthye sërish në qeli.
Vetëm një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 20 marsit, ai u gjet pa shenja jete.
KShH evidenton gjithashtu probleme sistemike në trajtimin e të ndaluarve, duke theksuar mungesën e shërbimit shëndetësor të pandërprerë në Bllokun e Sigurisë.
“Shërbimi shëndetësor në këtë strukturë nuk është i garantuar në mënyrë të pandërprerë 24 orë, ndërkohë që mungesa e burimeve njerëzore cenon drejtpërdrejt sigurinë dhe jetën e personave të privuar nga liria”, thuhet në reagim.
Organizata ngre shqetësim edhe për trajtimin e personave me varësi nga substancat narkotike, duke theksuar mungesën e metadonit dhe problemet në bashkëpunimin institucional për sigurimin e tij.
Sipas KShH, ky nuk është një rast i izoluar. Organizata kujton se edhe më herët janë konstatuar raste të ngjashme të humbjes së jetës së të ndaluarve me probleme shëndetësore dhe varësi nga droga.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)