Lufta me Iranin “përplas” Shtëpinë e Bardhë me Papën: Lutjet për trupat nuk janë të gabuara!

Papa Leoni tha se Zoti nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë, por Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mbrojti qëndrimin e administratës, duke theksuar se lutja ka qenë gjithmonë pjesë e momenteve më të vështira në historinë e SHBA-së.

30.03.2026. 20:14

Lufta me Iranin “përplas” Shtëpinë e Bardhë me Papën: Lutjet për trupat nuk janë të gabuara!

Një deklaratë e Presidentit Donald Trump ku i ftonte amerikanët që të luten për ushtarët që janë nisur drejt Iranit, ka ndezur përplasje mes Shtëpisë së Bardhë dhe Papa Leonit të XIV, pasi Ati i Shenjtë tha se “Zoti e refuzon luftën”.

Pas deklaratës nga Vatikani, Shtëpia e Bardhë reagoi të hënën duke thënë se nuk ka asgjë të gabuar në thirrjen e Trump drejtuar popullit amerikan për t’u lutur për trupat.

Papa Leoni tha se Zoti nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë, por Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mbrojti qëndrimin e administratës, duke theksuar se lutja ka qenë gjithmonë pjesë e momenteve më të vështira në historinë e SHBA-së.

“Kemi parë presidentë, kemi parë udhëheqësit e Departamentit të Luftës dhe kemi parë trupat tona të shkojnë në lutje gjatë kohërave më të trazuara në historinë e kombit tonë, dhe nuk mendoj se ka asgjë të gabuar me udhëheqësit tanë ushtarakë ose me presidentin që i bën thirrje popullit amerikan të lutet për anëtarët tanë të shërbimit dhe ata që po i shërbejnë vendit tonë jashtë shtetit”, u shpreh ajo.

Deklaratat e saj vijnë pas predikimit të Papës gjatë Meshës së së Dielës së Palmave, ku ai theksoi një qëndrim të fortë kundër luftës.

“Jezusi e hedh poshtë luftën dhe nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë, por i hedh poshtë ato, duke thënë: ‘Edhe pse bëni shumë lutje, unë nuk do t’i dëgjoj: duart tuaja janë plot me gjak’”, tha Papa në mesazhin e tij.

Ky qëndrim bie në kontrast edhe me deklaratat e fundit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili ka cituar tekste fetare për të sugjeruar se Zoti mbështet veprimet ushtarake, përfshirë ato ndaj Iranit.

Leavitt, duke pranuar rëndësinë e Javës së Shenjtë, tha gjithashtu se ekipi i saj kishte bërë një lutje para konferencës për shtyp dhe shtoi se anëtarët e ushtrisë amerikane e vlerësojnë këtë mbështetje shpirtërore.

“Ata e vlerësojnë lutjen dhe mbështetjen nga komandanti i përgjithshëm dhe nga Kabineti i tij”, përfundoi ajo.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)