Rama dhe Begaj urojnë besimtarët për Pashkët, mesazhe shprese dhe paqeje

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Pashkën si një festë që përçon dritë, besim dhe forcë shpirtërore.

05.04.2026. 08:22

Rama dhe Begaj urojnë besimtarët për Pashkët, mesazhe shprese dhe paqeje

Krerët e shtetit shqiptar kanë përcjellë urimet e tyre për besimtarët e krishterë që kremtojnë sot Pashkët katolike, duke theksuar mesazhet e shpresës, dashurisë dhe triumfit të së mirës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video të realizuar me inteligjencë artificiale, përmes së cilës uroi besimtarët me mesazhin simbolik: “Gëzuar Ditën e Re”.

Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Pashkën si një festë që përçon dritë, besim dhe forcë shpirtërore. Në mesazhin e tij, ai theksoi se kjo ditë e shenjtë simbolizon fitoren e së mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën dhe të dashurisë mbi çdo sfidë.

Begaj nënvizoi se Pashka rikujton se besimi dhe dashuria hyjnore janë forca të pashtershme që udhëheqin njerëzimin, duke uruar që kjo festë të sjellë paqe, gëzim dhe bekime në çdo familje shqiptare.

Pashkët kremtohen pas një periudhe 40-ditore të njohur si Kreshmë, e cila shoqërohet me agjërim dhe reflektim shpirtëror. Një nga simbolet më të njohura të kësaj feste është veza e kuqe, që përfaqëson jetën, sakrificën dhe triumfin e saj, duke përcjellë mesazhe shprese dhe gëzimi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)