“Nëse doni naftë nga Hormuzi, shkoni merreni vetë”, Trump - aleatëve: Amerika s’do jetë aty për ju!

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i sulmoi sërish sot aleatët duke thënë se nëse ata duan naftë nga Ngushtica e Hormuzit, le të shkojnë e ta marrin vetë aty, pasi Amerika nuk do t’i ndihmojë, ashtu siç ata refuzuan të japin një dorë për neutralizimin e regjimit në Iran.

31.03.2026. 14:14

“Nëse doni naftë nga Hormuzi, shkoni merreni vetë”, Trump - aleatëve: Amerika s’do jetë aty për ju!

Marrëdhënia e Donald Trump me aleatët e SHBA-ve në NATO ka qenë përherë e vendosur në tehun e thikës, por lufta me Iranin duket se po shkakton çarje të rënda në këto raporte.

Pas përplasjeve në distancë më kryeministrin britanik Keir Starmer për refuzimin që Londra i bëri ftesës së tij për t’iu bashkuar luftës dhe mbylljes së bazave ushtarake nga Spanja e Italia për avionët luftarakë amerikanë, Trumpit duket se i ka sosur durimi.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i sulmoi sërish sot aleatët duke thënë se nëse ata duan naftë nga Ngushtica e Hormuzit, le të shkojnë e ta marrin vetë aty, pasi Amerika nuk do t’i ndihmojë.

Në deklaratën e tij, presidenti amerikan përmendi konkretisht Mbretërinë e Bashkuar, duke pretenduar se ajo nuk mori pjesë në veprime që do të çonin në "neutralizimin" e udhëheqjes iraniane.

Në të njëjtën kohë, ai propozoi dy zgjidhje alternative për krizën energjetike për shkak të luftës në Iran. Nga njëra anë, sipas tij qëndron si opsion blerja e karburantit nga Shtetet e Bashkuara, me Trump që vë në dukje se tregu amerikan ka rezerva të mjaftueshme, dhe nga ana tjetër, marrja e një roli më aktiv nga vetë vendet në sigurimin e burimeve të energjisë.

"Të gjitha ato vende që nuk mund të marrin karburant për avionë për shkak të Ngushticës së Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi të përfshihej në operacionin për të eliminuar udhëheqjen e Iranit, kam një sugjerim: Së pari, blini nga SHBA-të, kemi me bollëk, dhe së dyti, merrni pak guxim të vonuar, shkoni në Ngushticë dhe thjesht merreni. Duhet të filloni të mësoni se si të luftoni vetë, SHBA-të nuk do të jenë më aty për t'ju ndihmuar, ashtu siç nuk ishit aty për ne", tha Trump.

Ai gjithashtu argumentoi se Irani në thelb është shkatërruar, duke vënë në dukje se "pjesa e vështirë ka mbaruar", ndërsa u bëri thirrje vendeve të sigurojnë aksesin e tyre në burimet e energjisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)