Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Osio Sotto të Italisë, ku një 30-vjeçar me origjinë pakistaneze është arrestuar me akuzën e tentativës për rrëmbim të një të mituri.
Sipas autoriteteve, i riu ka hyrë në ambientet e zhveshjes së një ekipi futbolli për fëmijë, në momentin kur ata sapo kishin përfunduar stërvitjen. Ai është shtirur si prindi i një djali 8-vjeçar dhe e ka marrë me vete duke u larguar nga qendra sportive.
Ishte vetë fëmija që ngriti alarmin, duke i thënë trajnerit se personi nuk ishte babai i tij. Reagimi i menjëhershëm i trajnerit, së bashku me ndërhyrjen e prindërve dhe drejtuesve të klubit, bëri të mundur ndalimin e autorit përpara se të largohej me të miturin.
Policia mbërriti në vendngjarje dhe arrestoi 30-vjeçarin, i cili rezulton pa precedentë penalë. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka arritur të japë shpjegime bindëse për veprimin e tij. Gjykata ka konfirmuar arrestimin dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimin për sigurinë e të miturve, sidomos në ambiente sportive dhe publike. Vetëm pak javë më parë, një rast i ngjashëm u raportua në Bergamo, ku një person tjetër tentoi të rrëmbente një fëmijë pranë një supermarketi, duke e plagosur rëndë gjatë përpjekjes.
Fatmirësisht, në këtë rast reagimi i shpejtë i të pranishmëve shmangu një ngjarje me pasoja të rënda.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)