Një rast i rrallë dhe i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Mbretërinë e Bashkuar, ku një foshnjë ka mbetur pa një atësi të përcaktuar ligjërisht, pasi gjykata nuk ka mundur të identifikojë se cili nga dy vëllezërit binjakë identikë është babai biologjik.
Ngjarja nisi pasi një grua pranoi se kishte pasur marrëdhënie intime me dy binjakë identikë, me një diferencë prej katër ditësh. Pas lindjes së fëmijës, njëri prej tyre u regjistrua si babai në certifikatën e lindjes, por më pas çështja përfundoi në gjykatë, pasi pati kundërshtime mbi atësinë.
Rasti u shqyrtua fillimisht nga gjykata familjare, e cila refuzoi të ndryshonte të dhënat në dokumentin zyrtar. Më pas, çështja shkoi në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtarët arritën në përfundimin se është e pamundur të përcaktohet me siguri se cili nga dy binjakët është babai.
Edhe testet e ADN-së, të kryera për të zgjidhur përfundimisht çështjen, nuk dhanë rezultat, pasi për shkak të ngjashmërisë gjenetike të binjakëve identikë, shkenca aktuale nuk mund të bëjë dallimin mes tyre në këtë rast.
Gjykata vendosi që për momentin përgjegjësia prindërore t’i mbetet vetëm nënës, ndërsa asnjëri prej binjakëve nuk mund të përcaktohet ligjërisht si babai. Sipas vendimit, ekziston mundësia që në të ardhmen, me zhvillimin e teknologjisë, të arrihet një përgjigje përfundimtare, por aktualisht kjo nuk është e mundur pa kosto shumë të larta.
Rasti konsiderohet i pari i këtij lloji, duke krijuar një precedent të pazakontë ligjor, ku një fëmijë rezulton të ketë një nënë dhe dy baballarë të mundshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)