Në prag të një sfide që mund të hyjë në histori për futbollin e Kosovës ndaj Turqisë, atmosfera në kampin e “Dardanëve” është ndezur jo vetëm nga rëndësia e ndeshjes, por edhe nga një festë e veçantë.
Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, ka festuar ditëlindjen e 27-të gjatë grumbullimit të ekipit kombëtar, vetëm pak orë para përballjes ndaj Turqisë, që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45.
Në një moment simbolik për skuadrën, kapiteni Vedat Muriqi i ka dhuruar tortën Zhegrovës, ndërsa futbollisti ka fikur qirinjtë mes urimeve të shokëve të ekipit dhe stafit teknik.
“Shpresoj që sot të marrim një dhuratë të madhe, për mua dhe për të gjithë ne në Kosovë, siç do ishte kualifikimi në Botëror,” u shpreh Zhegrova.
Ndërkohë, mbështetja për Kosovën nuk mungon as nga ndërkombëtarët. Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shprehur publikisht përkrahjen për ekipin, duke inkurajuar lojtarët që të japin maksimumin në këtë përballje të rëndësishme.
“Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, po ju brohorasim, luani fuqishëm dhe bëjeni Kosovën krenare,” thuhet në mesazhin e tyre.
Ndeshja ndaj Turqisë konsiderohet vendimtare për Kosovën, me shpresën për të arritur një sukses historik në arenën ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)