Sot Kosova ka një takim me historinë në futboll, pasi 90 minuta në fushën e lojës do të përcaktojnë nëse këtë verë do të jetë pjesë e Botërorit që do të zhvillohet në Kanada, SHBA dhe Meksikë, apo jo.
Djemtë e Fodës, por tashmë edhe të gjithë shqiptarisë, do të përballen në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës me Turqinë, e cila po ashtu kërkon që vendin e lënë bosh në Botëror ta plotësojë vetë.
Pritet një përballje e bukur, pasi të dy ekipet janë në formë të mirë dhe vijnë pas dy takimesh të vështira, Kosova pas fitores me Sllovakinë, teksa Turqia eliminoi minimalisht Rumaninë.
Stadiumi do të jetë plot e përplot, teksa sytë e mendjet e të gjithë shqiptarëve sot do të jenë me Kosovën.
Në konferencën për mediat, trajneri Franco Foda u shpreh realist, por optimist për shanset e ekipit të tij. “Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, por dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat për të kaluar më tej janë 50 me 50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”, deklaroi ai, duke shtuar se skuadra duhet të mbajë “kokën në vend” pavarësisht interesit të madh.
Foda theksoi se Kosova është përgatitur për çdo skenar, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë, ndërsa nënvizoi se çelësi do të jetë organizimi dhe kundërsulmi ndaj një skuadre që bazohet në pasime të shkurtra.
Edhe kapiteni Vedat Muriqi shprehu besimin e tij, duke e cilësuar këtë sfidë si një moment historik për vendin. “Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj te fitorja”, tha ai.
Në prag të kësaj ndeshjeje, kryeministri Albin Kurti ka premtuar një shpërblim prej 1 milion eurosh në rast fitoreje, duke rritur motivimin e skuadrës.
Kapiteni i Kombëtares së Turqisë, Hakan Çalhanoglu, e nisi deklaratën e tij me një notë miqësore ndaj shqiptarëve, përpara sfidës vendimtare ndaj Kosovës në “play-off”-in e Botërorit.
“Di disa fjalë shqip, por më mirë të mos flas. Kam miq të afërt, më mirë të mos them asnjë fjalë (duke qeshur)”, tha mesfushori tukr në nisje të konferencës për media nga Prishtina.
Sa i përket sfidës ai e pranoi se Kosova mund të bëjë surprizën, duke e krahasuar me norvegjezët e Bodo Glimt, të cilët eleminuan Interin e tij nga Champions League.
“Secili ka këndvështrimin e vet. Unë nuk e nënvlerësoj asnjë kundërshtar. Me Interin u eliminuam nga Bodo Glimt. Qasja e presidentit [të Federatës Turke të Futbollit] është ndryshe. Na ka mbetur një ndeshje për Kupën e Botës. Nuk fiton cilësia, por ai që jep më shumë zemër. Ne e dimë këtë dhe jemi gati”, tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)