Në një mbrëmje që pritej si reagim pas zhgënjimit ndaj Polonisë, Kombëtarja shqiptare nuk arriti të japë përgjigjen e duhur, duke u mposhtur minimalisht 1-0 nga Ukraina në një miqësore që nxori në pah problemet e vazhdueshme të skuadrës.
Ndeshja, e cilësuar si përballja e dy skuadrave “të dëshpëruara” pas eliminimit në gjysmëfinalet e “play-off”-it të Botërorit, u dominua në pjesën më të madhe nga ukrainasit, të cilët krijuan më shumë raste dhe treguan qartësi më të madhe në lojë.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, megjithëse Ukraina ishte disa herë pranë avantazhit, ndërsa Shqipëria u shfaq e vakët në fazën sulmuese. Rasti më i mirë për kuqezinjtë erdhi nga Armando Broja, por pa konkretizim.
Në pjesën e dytë, trajneri Silvinjo bëri disa ndryshime taktike, duke kaluar në një rreshtim me pesë mbrojtës, por pa arritur të stabilizojë skuadrën. Vetëm pak sekonda pas rifillimit, Ukraina shënoi golin e vetëm të ndeshjes me Hutsuliak, i cili përfitoi nga një harkim dhe mposhti Strakoshën.
Pas golit, Shqipëria tentoi të reagojë, por pa ide të qarta në sulm. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 79-të, kur Uzuni nuk arriti të shënojë në një mundësi të artë për barazim.
Ndërkohë, Ukraina vazhdoi të krijojë raste dhe rrezikoi disa herë të dyfishonte shifrat, por shtylla dhe ndërhyrjet e Strakoshës shmangën një humbje më të thellë.
Në fund, rezultati mbeti 1-0, duke konfirmuar një tjetër paraqitje zhgënjyese për Shqipërinë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)