Italia ka pësuar një tjetër goditje të rëndë në arenën ndërkombëtare, duke dështuar për herë të tretë radhazi të kualifikohet në Kupën e Botës, pas eliminimit dramatik ndaj Bosnje-Hercegovinës.
Ndeshja e zhvilluar në Zenica përfundoi 1-1 në kohën e rregullt, por gjithçka u vendos nga goditjet e penalltive, ku boshnjakët u treguan më të saktë, duke siguruar një kualifikim historik pas 12 vitesh mungesë në një turne madhor.
Italia kaloi e para në avantazh me anë të Moise Kean, pas një gabimi të rëndë në mbrojtjen e vendasve. Megjithatë, Bosnja reagoi menjëherë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme, ndërsa portieri Gianluigi Donnarumma u detyrua të bëjë disa pritje vendimtare.
Situata për “axurrët” u komplikua edhe më shumë në fundin e pjesës së parë, kur Alessandro Bastoni u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë për pjesën e mbetur të takimit.
Pavarësisht rezistencës së italianëve, Bosnja arriti të barazojë në minutat e fundit me Haris Tabakoviç, duke e çuar sfidën në shtesë dhe më pas në penallti.
Në serinë e goditjeve nga pika e bardhë, Italia gaboi, ndërsa Bosnja u tregua më e qetë dhe e saktë. Goli i fundit i Esmir Bajraktareviç vulosi kualifikimin dhe shpërtheu festën në stadium.
Ky eliminim shënon një tjetër dështim të madh për Italinë, që për herë të tretë radhazi do të mungojë në Kupën e Botës, duke thelluar krizën e një prej kombëtareve më të mëdha në historinë e futbollit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)