Pas një tjetër humbjeje zhgënjyese, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka pranuar hapur se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e duhur ndaj Ukrainës, duke theksuar se problemi kryesor ishte gjendja mendore e lojtarëve pas eliminimit nga “play-off”-i.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes së humbur 1-0, tekniku brazilian u shpreh se ishte shumë e vështirë për ekipin të rikuperohej psikologjikisht pas disfatës ndaj Polonisë, një ndeshje që kishte peshë historike për Shqipërinë. Ai theksoi se pritshmëritë e larta dhe energjia e shpenzuar në atë sfidë ndikuan drejtpërdrejt në paraqitjen ndaj Ukrainës.
“Duhet të jem i sinqertë, ishte e vështirë të reagonim pas humbjes ndaj Polonisë. Nuk rikuperuam mirë nga ana mendore”, u shpreh Silvinjo, duke shtuar se skuadra bëri përpjekje, por nuk arriti të shfaqte kthjelltësinë e nevojshme në fushë.
Trajneri pranoi gjithashtu superioritetin e kundërshtarit, duke vlerësuar cilësinë e lojtarëve ukrainas dhe organizimin e tyre në lojë. “Ukraina luajti shumë më mirë se ne sot, kanë kualitet të mrekullueshëm”, deklaroi ai.
Silvinjo nënvizoi se pjesëmarrja në “play-off” ishte një arritje e rëndësishme për Shqipërinë, por theksoi se skuadra nuk arriti të shfrytëzojë këtë mundësi historike. Ai pranoi se dy humbjet radhazi tregojnë nevojën për reflektim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)