Betohet Kryepolici i ri i Shqipërisë, ministri i Brendshëm i lë tre porosi

Në ceremoninë e betimit, Hita u shpreh se do të jetë mbështetësi i çdo polici në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë për standratet dhe përgjegjësinë, sepse siç ai nënvizoi po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi europian.

31.03.2026. 10:11 >> 10:48

Betohet Kryepolici i ri i Shqipërisë, ministri i Brendshëm i lë tre porosi

Një ditë pasi u emërua në krye të Policisë së Shtetit, pas një gare që zgjati rreth një muaj, Skënder Hita ka marrë zyrtarisht detyrën si drejtues i strukturës, me një mandat 5-vjeçar.

Ceremonia e betimit u krye në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku Hita u shpreh se do të jetë mbështetësi i çdo polici në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë për standratet dhe përgjegjësinë, sepse siç ai nënvizoi po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi europian.

“Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem! Sot është një ditë e rëndësishme në karrierën time në Policinë e Shtetit. Kam nderin të marr detyrën më të lartë në organizatën tonë. I jam mirënjohës çdo efektivi të policisë, që shërben në krye të detyrës. Mbetet sfidë, thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit nga qytetarët mbi policinë. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjitha territorin, janë misioni im”, tha ai.

Hita paralajmëroi edhe pastrimin e radhëve të policisë teksa parashtroi synimet e tij për ta afruar më tepër strukturën me qytetarin dhe për të intensifikuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

"Prioritetet tona janë të qarta. Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona. Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe në çdo komunitet. Forcimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin e vendit. Modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor "Smart City" dhe trajnimeve, sipas standardeve më të mira evropiane.  Rritje akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve. Mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim. Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit", deklaroi Hita.

Ish- ministrja e Brendshme, njëherësh zv/kryeministre e vendit, Albana Koçiu e vlerësoi rrugëtimin e Hitës në radhët e uniformave blu, duke thënë se është shembulli i meritokracisë.

“Ripërtëritja e trupës së policisë përmes afrimit të rinjve mbi bazë meritokracie dhe mbi bazën e forcimit të integritetit. Uniforma e Policisë së Shtetit të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë. Zgjedhja e tij në krye të Policisë, tregon se si ecet në shkallët e karrierës. Detyra e parë e drejtorit të ri të policisë, është forcimi i standardit të policisë, i kësaj organizate, që është ndër organizatat më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Policia ka rol kyç në procesin e integrimit të vendin në BE”, tha Koçiu.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari pasi vlerësoi 46-vjeçarin si një oficer karriere, garantoi se emërimi i tij në krye të policisë do të garantojë stabilitet, rend dhe siguri në vend.

Lamallari u kujdes ti përgjigjej edhe kritikave nga opozita për garën për drejtuesin në Policinë e Shtetit, duke thënë se procesi ishte transparent dhe i bazuar në meritat e të gjithë pjesëmarrësve.

“I besojmë drejtimin një drejtuesi të ri në një kohë kur kërkesat ndaj këtij institucioni janë më të larta se kurrë. Përtej solemnitetit të këtij rasti, dua të evidentoj 3 elementë, lidhur me procesin e ndjekur deri më sot. Për të mbërritur deri në këtë ceremoni është kaluar përmes një procesi transparent dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni ti besohet një figure të besueshme dhe pavarësisht se fituesi duhet të ishte një dhe vetëm një, vlerësoj pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve. Jam i bindur se të gjithë ju këtu sot, ndani të njëjtën bindje, se Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr policinë në një moment të rëndësishme për vendin dhe qytetarët, duke garantuar stabilitet dhe përkushtim. Ai është oficer karriere dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo post që ka mbajtur”, u shpreh Lamallari.

Ministri i Brendshëm në përfundim të fjalës së tij i la tre porosi Kryepolicit të ri të vendit.

“Integrimi në BE, ky mision bëhet akoma më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Në këtë rrugëtim, Policia ka rol thelbësor, nuk është vetëm proces politik, por edhe teknik. Është proces transformim, ndërtimi i një Shqipëri ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe Shqipëria është vend i sigurt. E merrni këtë detyrë në një moment kur kërkohet lidheship i fortë dhe vendosmëri, besim dhe pritshmëri e lartë për të çuar para policinë moderne, profesional edhe në përputhej me standardet europiane. Forconi më tej profesionalizimin, thelloni luftën kundër paligjshmërisë, dhe garantoni që policia të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta”, këmbënguli Lamallari.

Skënder Hita zëvendëson në detyrë Ilir Prodën, i cili u shkarkua më herët me urdhër të kryeministrit Edi Rama, pas protestave të opozitës. Ai ka pasur një karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit dhe një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)