“Gangsterët” shqiptarë kapen në kamionin për Britani, njëri ishte i armatosur

Zëvendës-prokurori i Boulogne, Patrick Leleu, konfirmoi tre arrestime, përfshirë edhe shoferin e kamionit.

Burimi: Daily Mail

31.03.2026. 10:54

“Gangsterët” shqiptarë kapen në kamionin për Britani, njëri ishte i armatosur

Dy persona, të dyshuar si anëtarë të bandave shqiptare, u arrestuan nga policia franceze në Calais ndërsa përpiqeshin të hynin ilegalisht në Britani në pjesën e pasme të një kamioni,

Sipas mediave britanike, dy shqiptarët u zbuluan teksa kamioni po hipte në traget, teksa njëri prej tyre ishte i armatosur me një pistoletë me silenciator.

Autoritetet britanike dyshojnë se të dy të arrestuarit mund të jenë pjesë e bandave shqiptare dhe synonin të takoheshin me figura të tjera të botës së krimit në Britani.

Zëvendës-prokurori i Boulogne, Patrick Leleu, konfirmoi tre arrestime, përfshirë edhe shoferin e kamionit. Ai shtoi se janë hapur dy hetime: një për posedim të armës së ndaluar dhe një tjetër për shoferin, për ndihmë dhe mbështetje në emigrim të paligjshëm.

Bandat shqiptare shpesh lidhen me krimin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë vjedhje, trafik dhe kontrabandë. Në janar, një grup shqiptarësh pranuan përgjegjësinë për disa vjedhje në vila, përfshirë shtëpitë e futbollistëve të Premier League. Policia kishte sekuestruar edhe foto të hajdutëve duke pozuar me armë, si dhe para dhe bizhuteri të vjedhura.

Gjithashtu, bandat shqiptare janë aktive në trafikun e njerëzve dhe ofrojnë shërbime për individë që kërkojnë të largohen nga Mbretëria e Bashkuar. Vitin e kaluar, disa emigrantë shqiptarë madje postuan video në TikTok duke u lavdëruar për arritjen e tyre në Britani pas pagesës prej 3,000 paund për të kaluar Kanalin e Anglisë.

Sipas analizave, numri i shqiptarëve që hynë në Britani përmes Kanalit u rrit në 2022 me mbi 17,000 aplikime për azil, ndërsa në 2024 ra nën 3,000.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)