Sot përfundon afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA), ndërsa Administrata Tatimore ka konfirmuar se nuk do të ketë asnjë shtyrje.
Autoritetet paralajmërojnë se çdo vonesë do të shoqërohet me gjobë prej 3 mijë lekësh. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, deri më 30 mars kanë deklaruar rreth 130 mijë qytetarë, ndërsa pritet që numri total të arrijë në 180 mijë.
Detyrimin për të dorëzuar DIVA-n e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit, personat me të ardhura nga biznesi, ata që kanë fitime të patatuara mbi 50 mijë lekë (si qira apo platforma si Airbnb dhe Booking.com), si dhe të gjithë të dypunësuarit.
Për vitin 2026, një risi është unifikimi i afatit të deklarimit në 31 mars për të gjitha deklaratat. Gjithashtu, qytetarët mund të përfitojnë lehtësime fiskale, si zbritje për arsimin e fëmijëve deri në 100 mijë lekë dhe 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim.
Të ardhurat tatohen me 15%, ndërsa për nivele më të larta aplikohet deri në 23%. Pas dorëzimit, Administrata Tatimore do të kryejë kontrolle për saktësinë e deklarimeve.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë afatin për të shmangur penalitetet dhe për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)