Abuzim me leje ndërtimi në Tiranë, pezullohet kreu i IMT, nën hetim biznesmeni

Paralelisht, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për biznesmenin Pandeli Carapuli.

31.03.2026. 09:09

Abuzim me leje ndërtimi në Tiranë, pezullohet kreu i IMT, nën hetim biznesmeni

Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Rigers Sheqeri, në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar abuzimi me lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Sipas burimeve, vendimi është marrë disa ditë më parë, pas kërkesës së organit të akuzës.

Paralelisht, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për biznesmenin Pandeli Carapuli.

Këto masa janë vendosur me kërkesë të prokurorit Julian Xhengo, i cili po ndjek hetimet mbi rastin.

Nga të dhënat paraprake rezulton se biznesmeni kishte përfituar një leje punimesh për vendosjen e një barriere provizore pranë mbikalimit të Saukut, në zonën e Unazës së Re. Megjithatë, dyshohet se në vend të saj është ndërtuar një mur betoni rreth 120 metra i gjatë dhe 4 metra i lartë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse kemi të bëjmë me një skemë më të gjerë abuzimi me lejet dhe ndërtimet në Tiranë, si dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)