Qeveria ka miratuar Skemën e re Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026, e cila sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e mbështetjes për fermerët shqiptarë.
Një nga ndryshimet më të dukshme është përjashtimi i furnizimit të tyre me naftë pa taksa, i cili ishte një nga format kryesore të mbështetjes që aplikohej që prej vitit 2021 për uljen e kostove të prodhimit.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, shpjegoi se mbështetja nuk do të zhduket, por do të përfshihet në paketën gjithëpërfshirëse të skemës kombëtare. Ai theksoi se fermerët do të përfitojnë rritje të mbështetjes për tufat e bagëtive dhe kompensim prej 10% të TVSH-së për bizneset që përpunojnë produktet e tyre, duke ulur kështu kostot e prodhimit.
Ndryshime të rëndësishme ka edhe për blegtorët. Kështu, numri minimal i krerëve për të marrë mbështetje bie nga 10 në 5 krerë, ndërsa financimi për kokë rritet nga 10 mijë në 12 mijë lekë.
Për dele dhe dhitë, numri minimal përgjysmohet dhe përfitimi rritet nga 1,200 në 1,500 lekë për krerë. Edhe për bletët, numri i koshereve që nevojiten përgjysmohet, ndërsa përfitimi dyfishohet, duke shkuar në 2,000 lekë për zgjua.
Skema e vitit 2026 përfshin për herë të parë edhe financimin për dosat, me 7,000 lekë për krerë, për ata që kanë tufë jo më pak se 5 krerë.
Ministri Salla u shpreh se skema e re është gjithëpërfshirëse dhe synon që çdo fermer të përfitojë nga mbështetja e shtetit, duke i dhënë rëndësi jo vetëm një mase të veçantë si nafta, por të gjithë paketës së mbështetjes kombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)