Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor Ylli Barutin për korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve publikë, duke e dënuar me një vit burgim. Megjithatë, ekzekutimi i dënimit është pezulluar dhe Baruti do të monitorohet në kuadër të një shërbimi prove për dy vjet.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se Baruti, së bashku me Dritan Stokën, Agim Osmën dhe Alqi Hajdinin, kishin ndikuar në pajisjen me leje legalizimi për ndërtime pa leje, duke përfituar nga marrja e shpërblimeve të parregullta.
Sipas hetimeve, Stoka, një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së, dhe Osma, kryeplak i Lagjes së Re në Sauk, kishin angazhuar qytetarët gjatë fushatës elektorale të vitit 2019 për të ndikuar në votimet, duke kërkuar lista me persona që duhet të votonin dhe mënyrën se si duhet të votonin, në këmbim të përfitimeve si qëndrimi në punë ose legalizimi i ndërtimeve të paligjshme.
Baruti dhe Hajdini, në rolin e ndërmjetësve, kishin pranuar shpërblime financiare për të lehtësuar procesin e pajisjes me leje për shtetasit e përmendur nga hetimi.
Njoftimi i GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 100, i vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Ylli Baruti, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 224 i Kodit Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43, të vitit 2021 dhe neni 25 i Kodit
Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Besmir Stroka dhe Etleva Deda, me vendimin nr.26, datë 30.03.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ylli Baruti për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, 25 i K.Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43, të vitit 2021 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, ulja e 1/3 së dënimit me burgim dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Ylli Baruti me 1 vit burgim.
3. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Ylli Baruti dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 2 vitesh, dyfishi i masës së dënimit.
4. Urdhërohet i pandehuri Ylli Baruti të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës, të mos shoqërohet me persona të dënuar.
5. Shpenzimet hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të të pandehurit.
6. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)