Ngritja e Bordit të Transparencës dhe modeli aktual i funksionimit të tregut të hidrokarbbureve në vendin tonë, nuk është sipas Erion Braçes i duhuri për të mbrojtur qytetarët përballë krizës me çmimet e naftës që janë të ndikuara nga lufta në Lindjen e Mesme.
Deputeti socialist ngriti tonet në seancën e sotme plenare në Kuvend, duke e cilësuar tregun e hidrokarbureve si problematik dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e larta të naftës në pompa. Gjatë fjalës së tij, Braçe deklaroi se Shqipëria rezulton të ketë çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon, edhe pa përfshirë taksat.
“Ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në rajon, flas pa taksa fare. E gjitha të çon që ta fokusosh vëmendjen në një element kyç që është modeli i tregut. Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera”, tha Braçe.
Ai sqaroi gjithashtu rolin e Bordit të Transparencës, duke theksuar se nuk është një strukturë që vendos çmimet, por që duhet të ndihmojë në qartësimin e tyre. Sipas Braçes, Bordi i jep zë favorizimeve në fitime të pajustifikuara për operatorët e këtij tregu.
“Bordi i transparencë është keqkuptuar si bordi që cakton çmimet, ai Bord duhet të bëjë transparencë që të gjithë të jemi të qartë ku e kemi problemin”, u shpreh ai.
Në vijim, Braçe ngriti shqetësimin për reagimin e një shoqate të operatorëve të hidrokarbureve, të cilën e akuzoi se funksionon si kartel dhe përdor tone kërcënuese.
“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Këto kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe natyrisht duam të marrim përgjigje duke e shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime me arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg”, deklaroi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)