PS "ndez motorët", Rama: Të parët që përgatitemi kaq herët. Nafta, e rritur në të gjithë dynjanë

Kreu i socialistëve Edi Rama ka nisur takimet me strukturat në Tiranë, ku pasditen e kësaj të marte ishte në Asamblenë e Njësisë nr.7, bashkë me Ogerta Manastirliun, drejtuese politike të qarkut të Tiranës.

31.03.2026. 17:04

PS "ndez motorët", Rama: Të parët që përgatitemi kaq herët. Nafta, e rritur në të gjithë dynjanë

Kreu i socialistëve Edi Rama ka nisur takimet me strukturat në Tiranë, ku pasditen e kësaj të marte ishte në Asamblenë e Njësisë nr.7, bashkë me Ogerta Manastirliun, drejtuese politike të qarkut të Tiranës.

Ai tha se socialistët do të fitojnë pasi është partia e parë që ka nisur kaq herët përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore në 2027-tën.

"Besoj që jeni të informuar që kemi nisur një proces gjithëpërfshirës dhe të shtrirë në krejt territorin e Shqipërisë për të bërë një rrugë e dy punë, pasi nga një anë kemi zgjedhjet në organizatat socialiste dhe nga ana tjetër është me vend që të bëjmë një proces bashkëbisedimi në radhë të parë brenda nesh.

Jemi tamam në kohë për të filluar që të mbjellim rezultatin që do të korrim në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të jenë pas 14-15 muajve. Jam i bindur që do jemi fitues, për një arsye tjetër, që është arsyeja që na mbledh sot. I fillojmë përgatitjet shumë para të tjerëve. Kur të tjerët merren me ne, ne merremi me veten.

Dua ta filloj këtë bisedë me ju nga Tirana, por nuk do ndalemi vetëm këtu. Në këtë proces është shumë e rëndësishme të flasim për një sërë gjërash që merren të mirëqena", tha Rama.

CMIMI I NAFTES

Rama ka komentuar sërish edhe çmimin e naftës, duke thënë se rritje ka pasur në të gjithë botën, megjithatë qeveria e tij po punon për një transformim.

“Tani besoj që njerëzit e kanë kuptuar që po përballemi me një krizë që ndodh në të gjithë dynjanë. Çmimi i naftës është rritur kudo, në vende të tjera ka shkuar edhe shumë më lartë se këtu. Çfarë po bëjmë, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë?

Zakonisht, është më i lartë se disa vende rreth e rrotull, sepse ne kemi edhe taksën e qarkullimit. Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot. Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë; kjo është logjika. Në një farë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë edhe ndotës.

Për këtë arsye, ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë për të gjithë mënyrën se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës. Dhe nga ana tjetër, duam që kjo kompani të jetë edhe furnizuese e naftës, dhe duke qenë furnizuese, të ndikojë në çmimin e naftës duke mbrojtur interesat e konsumatorëve”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)