“Po, e kam seriozisht”, Erion Braçe shpreh hapur ambicien për të garuar për Tiranën: Le ta zhvillojmë këtë qytet!

Erion Braçe shprehet se nuk po tallet dhe se do t’i shkojë deri në fund bashkë me qytetarët, duke lënë të kuptohet se kërkesa për të qenë ai kandidati i së majtës në zgjedhjet lokale 2027, do t’i paraqitet kryeministrit dhe kreut të PS, Edi Rama.

31.03.2026. 13:22

“Po, e kam seriozisht”, Erion Braçe shpreh hapur ambicien për të garuar për Tiranën: Le ta zhvillojmë këtë qytet!

Deputeti socialist Erion Braçe përmes një video-mesazhi të postuar në Facebook, ku falënderon qytetarët e Tiranës që e kanë mbështetur përmes mesazheve idenë e tij për të kërkuar kandidimin për kryetar bashkie, të cilën e shprehur në një mbledhje të Asamblesë së PS në Njësinë 5, duket se ka konfirmuar se do t’i hyjë garës për bashkinë e kryeqytetit.

Braçe shprehet se nuk po tallet dhe se do t’i shkojë deri në fund bashkë me qytetarët, duke lënë të kuptohet se kërkesa për të qenë ai kandidati i së majtës në zgjedhjet lokale 2027, do t’i paraqitet kryeministrit dhe kreut të PS, Edi Rama.

“Nuk ka ndodhur kurrë qe unë te tallem me njerëzit dhe nuk do te ndodhe ndonjëherë me mua kjo. Pooo e kam seriozisht e do ti shkoj deri ne fund bashke me ju! Nuk është ambicie personale, nuk është interesi im personal. Jam tërësisht i çliruar nga këto, por mendoj se kemi një mundësi shume te madhe për ta zhvilluar këtë qytet ne një dimension te ri, përfshirës e ku gjithsecili gjen jo veten e tij, jo jetën e tij por te mirën e tij”, thotë Braçe, teksa falënderon dhe ju shpreh mirënjohjen të gjithëve atyre që i kanë shkuar.

Pohimi i deputetit socialist vjen vetëm pak orë pasi në hyrje të Kuvendit ju përgjigj interesit të mediave, për zërat që qarkullojnë në lidhje me aspiratën e tij për të qenë kandidati i Partisë Socialiste për kreun e Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet lokale të vitit 2027.

“Gjërat që thuhen në shtëpi mbeten aty. Unë kam folur brenda Asamblesë së Partisë Socialiste në njësinë numër 5. Sy më sy me njerëzit edhe kaq, dhe mbaron aty. Kur të kemi të reja do ua them!", u shpreh Braçe teksa i drejtohej seancës plenare.

Insistimit të gazetarve për të mësuar pse këtë të hënë kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve listën e rezultateve të tij elektorale gjatë angazhimit politik, Braçe iu përgjigj duke thënë se janë arsye formale.

“Është një arsye aq formale sa nuk ka ku të shkoj. Më 26 maj mua më bëhen 30 vjet i zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe meqë këto rezultatet, veçanërisht ato të zgjedhjeve të 96’ dhe 97’ nuk i gjen asgjëkundi, jam i detyruar t’ia kërkoj me shkrim KQZ-së”, tha Braçe.

I pyetur nëse do të shkruajë një libër, ai u përgjigj duke thënë: “Jo, do shkruaj një status që do ta shihni”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)