Krisja me Ramën dhe mungesa në votimin e Ballukut, Elisa Spiropali thyen heshtjen

Spiropali shprehet se heshtja e saj nuk ka qenë përgjigje e munguar, duke ju referuar pa i cekur raportimet për atë çka ndodhi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, apo situatën e krijuar pas mungesës së saj në seancën për votimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

31.03.2026. 13:01

Krisja me Ramën dhe mungesa në votimin e Ballukut, Elisa Spiropali thyen heshtjen

72 orë pasi u raportua për krisje në Partinë Socialiste dhe një përplasje me tone të ngritura midis kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit, ish-ministrja e Jashtme ka zgjedhur të thyejë heshtjen dhe të reagojë përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale.

Spiropali shprehet se heshtja e saj nuk ka qenë një përgjigje e munguar, duke ju referuar pa i cekur raportimet për atë çka ndodhi në mbledhjen e  Grupit Parlamentar të PS, apo situatën e krijuar pas mungesës së saj në seancën për votimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik. Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë. Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore”, shkruan Spiropali.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS u raportua për momente tensioni mes kryeministrit Rama dhe Spiropalit, me situatën që u ndez gjatë raportimit të drejtoreshës së Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ku deputetja socialiste përdori telefonin dhe shefi i qeverisë i tërhoqi vëmendjen duke i kërkuar të respektonte folësit.

Incidenti mori tjetër kontekst më tej gjatë raportimit të ministres së Shtetit për Parlamentin, Erjona Ismaili, kur Spiropali u duk se po nënqeshte. Kryeministri i kërkoi asaj të mos ndërhynte dhe të mos bënte komente përndryshe do ta nxirrte përjashta.

Spiropali iu përgjigj Ramës me fjalët: “Thuaje çfarë ke për të thënë” dhe më pas kërkoi që ministrja Ismaili të kërkonte ndjesë për tonet e përdorura. Ndërhyrja e Erion Braçes qetësoi situatën dhe riktheu diskutimin në normalitet.

Tensionet në mesin e socialistëve u vunë re edhe javën e shkuar, përfshirë një përplasje të Spiropalit me Taulant Ballën lidhur me mungesën e saj gjatë seancës për votimin e imunitetit të Belinda Ballukut.

Spiropali kishte kërkuar hapur një diskutim të plotë dhe vendimmarrje kolektive në grupin parlamentar, duke theksuar rëndësinë e respektimit të qëndrimeve të formuara përmes debatit të hapur.

Ndërkohë për gjendjen e krijuar në PS reagoi edhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi. Ai e pranoi se në mbledhjet e mazhorancës socialiste ka pasur diskutime të shtuara, por i cilësoi si thashetheme, zërat për përçarje mes disa figurave kryesore, të nxitura nga debati  Rama-Spiropali.

"Nëse i referoheni thashethemeve, unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di ç’do të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi pasur dje dhe kjo besoj është e shëndetshme. Natyrisht që s’mund të quhet përçarje diskutimi. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme, por mendoj që ju i referoheni disa thashethemeve të cilat s’kanë lidhje fare me substancën politike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike. Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik", deklaroi Peleshi pak ditë më parë nga Maliqi.

REAGIMI:

Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.

Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.

Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.

Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.

Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.

Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

Fitorja nuk merret, ajo provohet.

Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.

Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)